Sélectionner une page

Kosova aktualisht po hyn në një garë të re elektorale. Në fakt, zgjedhje të reja të parakohshme legjislative janë caktuar për 14 Shkurt 2021 nga Ushtruesja e Detyrës së Presidentit të Kosovës znj. Vjosa Osmani. Si shoqatë shqiptare me seli në Zvicër, kemi vendosur të vëmë në pikëpyetje rolin tonë si votues në Kosovë. Prandaj, mësuam se për të marrë pjesë në zgjedhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës (KQZ-ja) vendos një afat për aplikim në listën zgjedhore. Për zgjedhjet e shpallura, ky afat është caktuar nga 13 deri më 21 janar 2021. Në këtë tekst kemi dashur ta bëjmë një vështrim dhe analizë mbi mjetet e vëna në dispozicion për të lejuar njerëzit në diasporë të votojnë. Para kësaj, është e nevojshme të hidhet dritë mbi rrethanat në të cilat po zhvillohen këto zgjedhje të reja.

Rrethanat

Më 25 mars 2020, qeveria e zgjedhur pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 u rrëzua nga parlamenti. Pas kësaj ngjarjeje, me 3 qershor 2020, një qeveri e re u formua me 61 vota nga 120, pra me një shumicë minimale. Madje, në rrethana dhe me një votë të dyshimtë.  Në fakt, legjitimiteti i votës së deputetit Etem Arifi ka qenë subjekt i një ankese të dërguar tek Gjykata Kushtetuese për të vlerësuar përputhshmërinë e votës së tij me Kushtetutën. Deputeti në fjalë u dënua me burgim për 1 vit e 3 muaj. Me 11 qershor disa deputetë iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese të Kosovës duke e kontestuar vlefshmërinë e votës të Etem Arifit, duke u thirrur në nenin 29 al. 1 shkronja q) të ligjit të përgjithshëm për zgjedhjet në Kosovë (LIGJI NR. 03 / L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës) dhe nenit 70 paragrafi 3 kapitulli 6 të Kushtetutës së Kosovës, i cili parasheh se mandati i një deputeti përfundon ose bëhet i pavlefshëm kur ky i fundit shpallet fajtor me vendim të formës së prerë për një vepër penale që e dënon atë me një ose më shumë vite burgim. Më 21 dhjetor 2020, Gjykata Kushtetuese merr një vendim në favor të parashtruesve të kërkesës dhe kështu zhvlerëson votën e deputetit Etem Arifi dhe për këtë arsye pohon se vendimi i Kuvendit të Kosovës (07/V-014) i 3 Qershorit për formimin e qeveris nuk është në pajtim me një dispozitë të Kushtetutës (neni 95 paragrafi 3 CST) dhe si pasojë qeveria nuk mori numrin e nevojshëm të votave. Për më tepër, dhe mbi të gjitha, Gjykata kërkon që Ushtruesja Detyrës së Presidentit të Kosovës të shpall zgjedhje të parakohshme.

Zgjedhjet

Situata e përshkruar më lart është simptomatike dhe shpërfaq një problemi shumë më të thellë që çon në paqëndrueshmëri institucionale dhe demokratike në Kosovë. Kjo paqëndrueshmëri është rezultat i negociatave joparimore ndërmjet partive politike. Përveç kësaj, që nga viti 2014, katër qeveri kanë pasuar njëra-tjetrën dhe asnjëra prej tyre nuk e ka përfunduar mandatin e saj. Kjo paqëndrueshmëri çon në humbjen e besimit të popullatës karshi institucioneve.

Njëkohësisht ne shohim një pjesëmarrje (në nivelin legjislativ) mjaft të qëndrueshme të votuesve në Kosovë. Sipas KQZ-së (Komisionit Qendror të Zgjedhjeve), pjesëmarrja ishte 45% në vitin 2010, 42% në vitin 2014 dhe 44% në vitin 2019. Përveç pjesëmarrjes së votuesve brenda Kosovës, kushtetuta i jep të drejtën e votimit edhe personave që jetojnë jashtë Kosovës. Kjo e drejtë jepet për të dy nivele të votimeve, komunale dhe legjislative.

Në fakt, sipas një raporti të hartuar nga “Germin” në bashkëpunim me Konfederatën Zvicerane (2019), ka midis 800,000 dhe 1 milion shqiptarë të Kosovës që jetojnë jashtë Kosovës. Midis tyre, disa qindra mijëra kanë të drejtë vote. Sipas të njëjtit raport, 380,000 prej tyre kanë lindur në Kosovë dhe me automatizëm e kanë të drejtën e votës. Sidoqoftë, kjo shifër nuk merr parasysh edhe personat e tjerë që fitojnë të drejtën e votës në bazë të kritereve tjera, që janë: Njëri nga prindërit të ketë lindur në Kosovë dhe/ose të ketë jetuar të paktën 5 vite në vazhdim në Kosovë dhe/ose të jetë i detyruar të largohet nga Kosova. Kjo do të thotë që numri i njerëzve me të drejtë vote është shumë më i madh se 380,000.

Procesi zgjedhor për diasporën

Dëshirojmë këtu të përshkruajmë procesin e vendosur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës, në mënyrë që njerëzit nga diaspora mund të votojnë. Janë dy faza në këtë proces:

Aplikimi dhe Votimi.

  • Aplikimi :

Në mënyrë që njerëzit nga diaspora të votojnë, ata duhet së pari të aplikojnë për regjistrim në listën zgjedhore, madje edhe nëse ata e kanë ndërmarrë këtë hap në zgjedhjet e mëparshme. Duhet të theksohet se në zgjedhjet e rregullta, një person me të drejtë vote ka 40 ditë afat kohor për aplikim në listën zgjedhore. Ndërsa në zgjedhje të parakohshme ose të jashtëzakonshme, kjo periudhë mund të ulet në 7 ditë. Për zgjedhjet e ardhshme afati i aplikimit është caktuar nga 13 deri më 21 janar 2021.

Ekzistojnë dy formularë të dallueshëm për aplikim: një për njerëzit që kanë pasaportë ose letërnjoftim të Kosovës dhe tjetri për njerëzit që nuk i kanë këto dokumente identiteti por që plotësojnë kriteret e tjera për aplikim që përmendëm më lartë. Zakonisht një çertifikatë lindje është e mjaftueshme për aplikim në listat zgjedhore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i vë këto formularë në dispozicion në faqen e saj të internetit. Ata që dëshirojnë të aplikojnë duhet të shkarkojnë një nga këto formularë, ta shtypin dhe pastaj ta plotësojnë. Për transmetimin e formularëve në KQZ, ofrohen tre mënyra për ta bërë këtë :

  • Mes postës fizike
  • Mes postës elektronike (e-mail)
  • Mes faksit (fax)

Kur një person i plotëson të gjitha kriteret, nga KQZ i konfirmohet me e-mail e drejta për të votuar. Në rast të mos përmbushjes së kritereve për aplikim, ekziston e drejta e ankimit gjatë 24 orëve pas njoftimit.

Për më tepër, KQZ-ja ka futur një masë të re që dekreton se pasi e merr formularin e regjistrimit, Komisioni do të bëjë thirrje telefonike për të verifikuar identitetin e aplikuesve. Ky dekret gjithashtu thotë se nëse njerëzit në diasporë nuk i përgjigjen telefonit, regjistrimi i tyre do të anulohet.

  • Votimi :

Për votat, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vë në dispozicion fletët e votimit në faqen e saj të internetit. Ata që dëshirojnë të votojnë duhet të plotësojnë fletën e tyre të votimit, ta fusin në një zarf dhe ta dërgojnë me postë fizike në adresën e KQZ-së në Kosovë. Për dërgimin e fletëve të votimit nga jashtë, KQZ-ja ka caktuar një afat prej 2 deri në 12 shkurt 2021.

Ky proces me dy faza i përshkruar më sipër është ai që është vendosur në të gjitha zgjedhjet legjislative dhe komunale që nga viti 2017. Dhe është gjithashtu ai që po propozohet për zgjedhjet e ardhshme legjislative.

Kritika të përgjithshme

Ne jemi të detyruar të vërejmë se që nga pavarësia e Kosovës në 2008, vetëm një qeveri ka përfunduar mandatin e saj (2010-2014). Në fakt, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë bërë normë. Mbajtja e tyre është rezultat i paqëndrueshmërisë politike që ka mbretëruar në Kosovë për disa vite. Prandaj, ne besojmë se mbajtja e parregullt e zgjedhjeve – de facto – nuk e lejon diasporën të ketë kohën të mjaftueshme për t’u mobilizuar. Siç përshkruhet më sipër, afati i aplikimit për t’u identifikua si votues mund të reduktohet në 7 ditë, duke shtuar kështu edhe një vështirësi procedurale.

Lidhur me procedurat e aplikimit dhe votimit për personat nga diasporë, OJQ Germin në raportin e saj me titull: “Analizë e votimit nga jashtë në zgjedhjet për kuvendin e Kosovës” na ofron statistikat si më poshtë (Tabela 1)

Kur analizojmë këto shifra, shohim një rritje të pjesëmarrjes nga diaspora. Sidoqoftë, siç u përmend më herët, vlerësohet se të paktën më shumë se 380’000 votues janë të vendosur jashtë Kosovës. Shifrat e zbuluara nga statistikat e mësipërme na tregojnë se një përqindje shumë e ulët e njerëzve nga diaspora aplikojnë për të votuar. Fillimisht besojmë se kompleksiteti i procesit të aplikimit ulë potencialin për pjesëmarrje elektorale të diasporës së Kosovës. Në Tabelën 1, vërejmë gjithashtu një rritje në përqindjen e aplikimeve të vlefshme. Sidoqoftë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk jep asnjë shpjegim lidhur me arsyet pse aplikimet nuk janë të vlefshme.

Kritika rreth aplikimit

  • Mungesa e një regjistri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve arsyeton nevojën për aplikim nga fakti se njerëzit në diasporë duhet të njoftojnë Komisionin se kanë të drejtë të votojnë dhe prandaj të marrin fletëvotimet. Aktualisht, është e vështirë të zëvendësohet sistemi i aplikimit sepse as Ministria e Punëve të Jashtme dhe as Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mban një regjistër të kosovarëve që jetojnë jashtë vendit. Megjithatë është përgjegjësi e shtetit të Kosovës të mbajë një regjistër të tillë të atyre që kanë të drejtë vote. Ne besojmë se ky dështim është i padenjë për një vend ku diaspora ka luajtur rolin vendimtar në ngjarjet më të rëndësishme historike që nga vitet 1960.

Mund të besojmë se aktualisht, aplikimet janë të nevojshme, por asgjë nuk e arsyeton faktin se këto aplikime nuk mund të bëhen jashtë periudhave zgjedhore. Ne gjithashtu besojmë se afati i aplikimit është shumë i shkurtër, qoftë 40 ditë për zgjedhje të rregullta dhe 7 ditë për zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme. Kështu na bëhet e qartë se këto kufizime janë produkt i një vullneti real politik i cili është, parandalimi sa më shumë i mundshëm i votës së diasporës.

  • Numërimi i votës së diasporës

Mungesa e një regjistri të popullsisë së Kosovës që jeton jashtë vendit e shkakton një problem tjetër. Në zgjedhjet e mëparshme, shumë njerëz nga diaspora udhëtuan në Kosovë për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike. Vërejmë dy çështje në lidhje me këtë. E para është që këta njerëz kanë pak besim në sistemin e propozuar nga KQZ-ja dhe preferojnë të shkojnë në Kosovë për të siguruar që zëri i tyre të merret parasysh. Kjo padyshim sjell kosto udhëtimi të konsiderueshme për ta. Problemi i dytë është fakti që këta njerëz nuk konsiderohen se janë nga diaspora, por numërohen sikurse jetojnë në komunën në të cilën votuan. Prandaj, KQZ-ja nuk ofron statistika  të vërteta për pjesëmarrjen e njerëzve nga diaspora, por bazohet vetëm në njerëzit që kanë përfunduar procesin e aplikimit për të votuar. Mungesa e një regjistri të popullsisë së Kosovës që jeton jashtë vendit është po ashtu themeli i këtij problemi. Besojmë se është thelbësore që vota e diasporës të veçohet nga KQZ-ja, në mënyrë që të matet gjerësia e saj gjatë zgjedhjeve dhe kjo pavarësisht nëse këta njerëz e bëjnë udhëtimin në Kosovë për të votuar apo votojnë nga jashtë vendit.

  • Çarja numerike

Lidhur me procedurat e aplikimit, duhet të theksohet se për të aplikuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve siguron formularët e aplikimit në internet. Këto duhet të shtypen, plotësohen dhe dërgohen me e-mail ose me postë fizike. Për shkak të afateve shumë të shkurtra, 86% e njerëzve që aplikojnë, e dërgojnë kërkesën me e-mail. Duke marrë parasysh realitetin socio-ekonomik të diasporës shqiptare, është thelbësore të merret në konsideratë “çarja numerike”, që përjashton popullsinë e moshuar nga kjo mënyrë e komunikimit. Shpesh shqiptarët e moshuar duhet të kërkojnë ndihmë nga familjet e tyre dhe veçanërisht nga fëmijët për të votuar. Ky nuk është obligim e anëtarëve të familjes, por i shtetit të Kosovës, i cili duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të lehtësuar votën e popullatës së tij.

Kritikat ndaj procesit të votimit

  • Votimi

Ashtu si me aplikimin, ne vërejmë në Tabelën 1 se numri i votave është i ulët krahasuar me aplikimet e vlefshme. Për shembull, në vitin 2019, 35’087 aplikime u vërtetuan, ndërsa vetëm 24’523 u shndërruan në votë. Prandaj ka 30% të njerëzve qe kanë aplikuar që nuk votuan ose vota e tyre nuk u llogarit. Përsëri, KQZ-ja nuk jep asnjë shpjegim për këtë diferencë. Këtu mund vetëm të spekulojmë pse 30% të aplikimeve nuk votuan, por kemi të drejtë të kërkojmë shpjegime rreth kësaj çështje nga KQZ-ja. E gjithë kjo dëshmon një çështje komplekse sa i përket modaliteteve që lejojnë pjesëmarrjen elektorale të njerëzve nga diaspora.

  • Afati i dorëzimit

Sipas postës zvicerane, një zarf në modalitetin standard kërkon 7 deri në 15 ditë për të arritur në destinacion në Kosovë. Në modalitetin urgjent, kjo kohë zvogëlohet për 3 deri 6 ditë. Për zgjedhjet e 14 shkurtit, KQZ-ja tregon se afati për votim është caktuar nga 2 në 12 Shkurt. Për shkak të kohës shumë të shkurtër për të votuar, preferohet metoda e dërgesës, me urgjencë. KQZ-ja konsideron që për zgjedhjet e 14 Shkurtit, zarfet që mbërrijnë pas afatit të datës 12 shkurt nuk merren parasysh, edhe nëse vula e postës vërteton se dita e dërgimit është para 12 Shkurtit.KQZ-ja arsyeton mospranimin e këtyre zarfeve në bazë të nenit 96.2 të Ligjit për Zgjedhjet Parlamentare dhe nenit 4.4 të Urdhëresës Zgjedhore numër 03/2013. Ky artikull pohon: “Fletëvotimet nga jashtë Kosovës duhet të pranohen 24 orë para ditës së votimit”. Kjo dispozitë ligjore bie në kundërshtim me nenin 3 të protokollit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Shtrohet pyetja, ku mbështetet kjo dispozitë ligjore, sepse konsiderojmë se një shtet demokratik duhet të garantojë përmes aparatit të tij legjislativ pjesëmarrjen maksimale të elektoratit. Këto restrikcione, në masë të konsiderueshme kufizojnë  votën e diasporës, prandaj besojmë se këto dispozita vendosen qëllimisht për të kufizuar votën e diasporës së Kosovës sa më shumë që të jetë e mundur.

Përmbledhje

Ne vërejmë pengesa, që frenojnë ushtrimin e një të drejte themelore të garantuar me Kushtetutën e Kosovës. Çështjet që ne ngremë në këtë tekst i zbulojnë vështirësitë me të cilat përballen njerëzit në diasporë për të votuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Ministria e Punëve të Jashtme dhe partitë politike kanë një përgjegjësi të madhe për këto vështirësi në të cilat has diaspora e Kosovës. Përkundër kësaj, këto institucione mbështeten në përgjegjësinë e individëve për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.

Që kur u shpallën zgjedhjet e fundit, vërejmë një mobilizim të madh të diasporës, e cila krijon forma të ndryshme të organizimit për të ndihmuar popullsinë e saj për të votuar. Kjo ndihmë përbehet nga informimi i diasporës mbi mënyrën e votimit, por gjithashtu edhe duke ngritur pika të përhershme ku ofrohet mbështetje për njerëzit në diasporë, gjatë kapërcimit të pengesave në rrugën gjer te realizimi i të drejtës për të votuar. Ky organizim vjen me një kosto të konsiderueshme për këta njerëz, edhe pse nuk është  përgjegjësi e tyre t’i marrin këto iniciativa. Njerëzit nga diaspora organizohen për të kryer punën e shtetit të Kosovës, konsullatave dhe ambasadave. Është e papranueshme që diaspora është në shërbim të shtetit të Kosovës dhe jo e kundërta. Për më tepër, jemi të detyruar të vërejmë se të gjitha përpjekjet e bëra nga diaspora për të inkurajuar votimin nuk janë të mjaftueshme, siç mund ta shohim nga statistikat e ofruara nga OJQ-ja Germin.

Zgjidhjet

Ne besojmë se shteti i Kosovës përfundimisht duhet të mbajë një regjistër të duhur i cili përfshin të gjithë Kosovarët që jetojnë jashtë vendit, dhe në këtë mënyrë të braktiset procesi i aplikimit të votuesve. Ky regjistër duhet të konsiderohet si një komunë e Kosovës në mënyrë që të përpilohet statistika reale mbi votën e diasporës. Tjetra, ne besojmë se ambasadat dhe konsullatat e Kosovës duhet të vendosin një sistem për të lehtësuar dhe ndihmuar diasporën për të votuar. Ne besojmë se është përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Jashtme, respektivisht e ambasadave dhe konsullatave për të gjetur lokale ose për të vënë në dispozicion ambientet e tyre, ku njerëzit nga diaspora mund të shkojnë të votojnë. Është po ashtu detyrë e ambasadave dhe konsullatave të informojnë popullatën mbi të drejtën e tyre për të votuar dhe të mbështesin njerëzit që kanë vështirësi në votim. Fatkeqësisht, ligji për zgjedhjet aktualisht nuk e lejon diasporën të votojë në këtë mënyrë. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim këtu idenë që ky ligj duhet të ndryshojë domosdoshmërish në një të ardhme sa më të afërt.

Ne gjithashtu kërkojmë që afatet për aplikim dhe votim të zgjaten. Po ashtu besojmë se KQZ-ja duhet t’i numërojë votat të cilat arrijnë së paku një javë pas ditës së zgjedhjeve përderisa vula dërguese e zarfit tregon datën e zgjedhjeve. Pastaj, për të mos u kufizuar nga këto afate shumë të shkurtra është gjithashtu e mundur që aplikimet dhe votat të dërgohen përmes postës fizike në drejtim të ambasadave dhe konsullatave në secilin vend të diasporës dhe jo në adresën e KQZ-së në Kosovë. Në këtë mënyrë, data e mbërritjes së zarfeve të votimit në ambasada dhe konsullata do të ishte vendimtare.

Besojmë se ka shumë zgjidhje të tjera që mund të përmirësojnë sistemin zgjedhor për njerëzit nga diaspora. Ndërsa shprehim keqardhje për mungesën e vullnetit të institucioneve të Kosovës për të përmirësuar sistemin aktual. Për më tepër, ne mendojmë se Shteti i Kosovës qëllimisht pengon, për aq sa është e mundur të bëhet, pjesëmarrjen elektorale të popullsisë së Kosovës që jeton jashtë vendit. Kosova është vendi më i korruptuar në Evropë. Ky korrupsion endemik prek të gjitha sferat e shoqërisë dhe pengon zhvillimin e një shteti demokratik dhe të së drejtës. Diaspora e Kosovës mbetet kryesisht jashtë kësaj kapje, prandaj është thelbësore që elitat politike të Kosovës të minimizojnë votën e diasporës sa më shumë që të jetë e mundur në mënyrë që të vazhdojnë të ruajnë privilegjet e tyre.

Ne nxisim fuqimisht Ministrinë e Punëve të Jashtme, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe gjithë aparatin shtetëror të Kosovës në përgjithësi, që të bëjnë çdo përpjekje për të përmirësuar,  si një çështje me prioritet, sistemin zgjedhor për njerëzit në diasporë. Është me interes reciprok të vendosën lidhje të mirëbesueshme dhe të ndërtohen urat e mirëkuptimit me komunitetin e diasporës. Që kjo të jetë e mundur në planin afatgjatë, është e qartë se kjo duhet të kalojë përmes një njohjeje reale dhe të zbatueshme të së drejtës së votës për diasporën e saj.

Gërnaqat ju përshëndesin.

Gjenevë, 12 janar 2021.

Nënshkruesit :

 

Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Gjenevës

CréAction Genève

Du Me Votu

Share This