Sélectionner une page

 

Të dashur studente dhe studentë, të dashur qytetare dhe qytetarë të Republikës së Kosovës, të dashur miq të pranishëm.

Ndërsa bota përjeton një periudhë krize shëndetësore. Populli i Kosovës përballet gjithashtu me një krizë të rëndë politike. Kjo krizë filloi pasi koalicioni qeveritar u shpërbë me 25 Mars 2020. Pyetja që u ngrit atëherë ishte: A duhet të formojmë një qeveri të re pa kaluar në zgjedhje apo duhet të shpallen zgjedhje të reja legjislative?

Gjykata Kushtetuese dha verdiktin e saj në mbrëmjen e 28 majit 2020, vendosi në favor të formimit të një qeverie të re pa fituesin e zgjedhjeve të fundit.

Dëshirojmë këtu të rikujtojmë se Gjykata Kushtetuese është garantuese e sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë. Sidoqoftë, shoqata jonë beson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një veprim antidemokratik. Në një vend që vuan nga paqëndrueshmëria politike, ne besojmë se zgjedhjet janë mënyra e vetme e mundshme për të dalë nga kriza politike aktuale.

Gjithashtu ne besojmë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një veprim i paparë për demokracinë në Kosovë. Ky vendim mundeson në të ardhmen të gjitha rikonfigurimet e mundshme të aleancave politike dhe rrjedhimisht zhvlerëson vetë parimin e zgjedhjeve. Ky vendim është një shmangie totale në një sistem parlamentar proporcional.

Kujtojmë gjithashtu që Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur. Shoqata jonë vë në dyshim këto parime të cilat Gjykata duhet të paraqesë dhe të respektojë.

Si i tillë, duhet të përmendim emërimin e Radomir Laban-it, i cili është tani gjyqtar në këtë Gjykatë. Gjykatësi Laban-i u dënua me 6 vjet burg në Serbi për çështje të korrupsionit. I liruar me kusht pas 3 vitesh, ai u strehua në Kosovë dhe u emërua gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2018. Ai mbetet edhe sot i kërkuar ende nga autoritetet e Beogradit dhe nga INTERPOL.

Duhet të përmendim edhe gjyqtarin Safet Hoxha, i cili, sipas hetimit nga OJQ-ja Balkan Investigate Reporting Network, ishte i përfshirë në marrëveshje sekrete të shkembimeve territoriale me Serbinë dhe është gjithashtu emërua gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2018.

Neni 114 i Kushtetutës tregon gjithashtu se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të jenë juristë të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë.

Si e tillë, ne besojmë se Gjykata nuk ka besueshmëri morale.

Nuk kemi këtu çka të flasim për interpretime të mira ose të këqija të Kushtetutës së Kosovës. Këtu shtohet çështje e demokracisë dhe e legjitimitetit të Gjykatës Kushtetuese e cila me këtë vendim shfaq karakterin e saj partiak. Shoqata jonë nuk mund të mbetet indiferente ndaj këtij vendimi i cili kërcënon vetë konceptin e demokracisë. Ne besojmë se ky vendim i dha fund rendit kushtetues në Kosovë dhe në një farë mënyre, besojmë se Gjykata ka vrarë rendin kushtetues në Kosovë.

Prandaj është me pikëllim të madh që ju njoftojmë sot për vdekjen e rendit kushtetues në Kosovë. Ju ftojmë të gjithë të hedhni një lule para derës së Konsullatës për t’a nderuar një herë të fundit dhe t’i shprejmë ngushëllimet tona të sinqerta. Ngushllime !

Share This